IKD: Zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën dhe praktikën parlamentare

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se procedura e ndjekur për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën parlamentare.

IKD thekson se votimi i ndarë, vetëpropozimi i deputetit Nenad Rasic, si dhe aplikimi i shortit nga kryetari i Kuvendit, janë veprime jokushtetuese.

Sipas IKD-së, përfaqësimi i komuniteteve nuk është privilegj, por garanci kushtetuese, dhe imponimi i shumicës mbi përfaqësuesit e pakicave cenon këtë parim.

Instituti kërkon përsëritjen e procedurës në seancën e 28 gushtit duke votuar në një pako të vetme dy nënkryetarët e komuniteteve jo-shumicë, në përputhje me Kushtetutën dhe afatin 30-ditor të caktuar nga Gjykata Kushtetuese. /Kosova.info/


Go to TOP