Muharremi: Dorëheqja e Liburn Aliut tregon se LVV ka humbur rrugën dhe është shndërruar në makineri autokratike
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pas dorëheqjes së Liburn Aliut duke e cilësuar atë si një tregues të qartë se Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, kanë rënë në kurthin e lakmisë për pushtet absolut.
Sipas tij, një parti që dikur fliste për demokraci e ideale, sot është shndërruar në një makineri autokratike, pa frymë të brendshme demokratike, pa konsultime cilësore dhe pa busull morale. “LVV ka braktisur gjithçka për çka u formua. Sot merret me kapjen e bordeve e institucioneve publike, me vendosjen e militantëve në çdo cep të shtetit, me ndërhyrje brutale politike në RTK dhe institucione tjera, madje edhe me sulme ndaj ekonomisë e bizneseve që e ushqejnë këtë shtet”, u shpreh Muharremi.
Ai theksoi se Aliu nuk është i pari e as i fundit që ka lënë Kurtin, pasi shumica e njerëzve me integritet dhe shkathësi janë larguar. Në parti, sipas tij, kanë mbetur kryesisht ata që nuk guxojnë të sfidojnë liderin duke mos i dhënë vlerë as partisë, as shoqërisë.
“LVV sot është e njohur si parti e përçarjes dhe polarizimit, e linçimeve, sulmeve, nacionalizmit negativ dhe populizmit të rrezikshëm. Parti e mosbashkëpunimit dhe bllokadës institucionale”, shtoi ai.
Muharremi vlerëson se mungesa e pluralizmit të brendshëm dhe demokracisë ka prodhuar një parti pa kapacitete qeverisëse dhe pa vizion për të ardhmen. Ai paralajmëroi se e ardhmja e Vetëvendosjes nuk duket e mirë pa një reformë të thellë dhe të gjerë. “Rruga që ka zgjedhur lideri dhe po aplikon partia duket si rrugë drejt humbjes dhe tkurrjes sistematike, derisa vjen momenti që reforma e ndryshimi mbeten e vetmja rrugë për shpëtim”, përfundoi analisti. /Kosova.info/
