OEK dhe Prodhuesit kërkojnë pezullimin e daljes në tregun e lirë: Faturat e energjisë po rrezikojnë industrinë vendore
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), së bashku me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës që funksionon në kuadër të saj, ka ngritur shqetësimin për rritjen e lartë të faturave të energjisë elektrike, të cilat sipas tyre po shndërrohen në një barrë të papërballueshme për sektorin prodhues.
Në një reagim publik, OEK kujton se kishte paralajmëruar qysh nga fillimi se dalja e detyrueshme e prodhuesve në tregun e lirë të energjisë do të sillte pasoja të rënda për bizneset, gjë që sot po dëshmohet me shifra konkrete.
Sipas të dhënave zyrtare, bizneset prodhuese të obliguara të furnizohen në tregun e lirë kanë paguar 162 €/MWh në qershor 2025 dhe 203 €/MWh në korrik 2025, ndërsa konsumatorët e rregulluar kanë paguar vetëm 65–75 €/MWh. Ky dallim, mbi tre herë më i lartë për prodhuesit, sipas OEK, ka dëmtuar rëndë konkurrueshmërinë e fabrikave kosovare dhe i ka vendosur ato në pozitë të pabarabartë ndaj sektorëve të tjerë vendorë dhe konkurrentëve rajonalë.
Në vend të uljes së çmimeve gjatë verës, faturat e prodhuesve janë rritur në nivele rekord duke ngritur shqetësimin se gjatë dimrit, kur konsumi dyfishohet, çmimet mund të kalojnë edhe 300 €/MWh. Një situatë e tillë, sipas OEK, do të sillte pasoja të rënda, përfshirë mbylljen e fabrikave, humbjen e mijëra vendeve të punës, rënien e prodhimit vendor dhe rritjen e varësisë nga importet.
Për këto arsye, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve ritheksuan kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të daljes së detyrueshme në tregun e lirë. “Energjia elektrike nuk është thjesht një produkt tregu, por faktor themelor për mbijetesën e industrisë vendore. Pa ndërhyrje të shpejtë, rrezikohet seriozisht baza prodhuese dhe e ardhmja ekonomike e vendit”, thuhet në reagim. /Kosova.info/
