Bajrami: Vetëvendosje po eliminon gazetarët profesionalë nga RTK

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të menaxhmentit të RTK-së për të përjashtuar disa gazetarë nga moderimi i emisioneve të tyre. Ajo e ka cilësuar këtë veprim si të papranueshëm, të paligjshëm dhe të nxitur nga interesa partiake të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Bajramit, militantët e emëruar nga Vetëvendosje në krye të transmetuesit publik kanë nisur një “aksion të brendshëm” për eliminimin e gazetarëve që kanë guxuar të punojnë me profesionalizëm, nuk i janë nënshtruar urdhrave politikë dhe kanë kërkuar të drejtat e tyre financiare sipas Ligjit.

“Menaxhmenti i RTK-së, në vend që të punojë për ta ngritur transmetuesin publik në nivelin më të lartë profesional dhe për ta kthyer në shërbim të publikut, ka zgjedhur të ndëshkojë gazetarët për llogari të interesave partiake të Vetëvendosjes,” ka deklaruar ajo.

Bajrami thekson se menaxhmenti i RTK-së do të japë llogari për çdo shkelje ligjore duke kërkuar që institucionet përgjegjëse, përfshirë Inspektoratin e Punës dhe organet e drejtësisë, të ndërhyjnë menjëherë për mbrojtjen e punëtorëve të transmetuesit publik.

“RTK-ja nuk është degë e Vetëvendosjes. RTK është e publikut dhe do të mbetet e tillë,” përfundon reagimi i saj. /Kosova.info/


Go to TOP