Kryeziu: Kam falur gjykatësin e prokurorin që më morën 10 vite, por Fatmir Sheholli duhet të tregojë nëse është penduar

Ish i burgosuri politik, Kadri Kryeziu, ka folur për rëndësinë e faljes dhe pendimit duke sjellë në kujtesë përvojën e tij të rëndë në kohën e ish-Jugosllavisë. Ai tha se i ka falur prokurorin që e kishte ndjekur me akuza politike dhe gjykatësin që i kishte marrë dhjetë vite të jetës së tij.

“Fëmijët e tyre i kam pasur nxënës dhe ata kurrë nuk e kanë ditur këtë fakt. Nga unë kanë marrë vetëm buzëqeshje dhe përkrahje,” u shpreh Kryeziu.

Megjithatë, ai shtoi se përveç faljes, një rol thelbësor ka edhe pendimi. “Edhe Zoti i madh i do ata që vërtet pendohen,” tha Kryeziu duke theksuar se kjo është një vlerë e madhe njerëzore.

Duke iu drejtuar Fatmir Shehollit, Kryeziu tha se para se të vazhdojë me elozhe për UÇK-në dhe mesazhe të tjera publike, është e domosdoshme që ai të tregojë nëse është penduar.

“Populli ynë ka zemër të madhe, por jo pa u penduar e pa kërkuar falje,” përfundoi Kadri Kryeziu. /Kosova.info/

Go to TOP