Cakolli: Propozimi i ri i LVV-së hap pozitiv, por partitë tjera s’po i qëndrojnë qëndrimeve të tyre
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend lidhur me propozimin e kandidatit të ri për kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Ai e ka vlerësuar këtë si një hap pozitiv dhe një afrim drejt zgjidhjes së krizës institucionale, megjithëse jo tërësisht në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ndryshimi i kandidatit nga LVV dhe propozimi i dikujt që s’ka pasur pozitë ministrore është hap pozitiv dhe afrim drejt zgjidhjes – të paktën nominalisht. Mbase nuk i përgjigjet plotësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare, por gjithsesi shkon në drejtimin e duhur,” ka deklaruar Cakolli.
Ai gjithashtu ka kritikuar PDK-në dhe disa deputetë të tjerë që, sipas tij, nuk i kanë qëndruar pas qëndrimeve të tyre të mëparshme. “Edhe pse vetë kishin vendosur si kriter mbështetjen vetëm për kandidatë që nuk kanë qenë ministra, sot nuk votuan për një të tillë. Nuk ka rëndësi se si e arsyetojnë – mospërputhja me qëndrimet e mëhershme është fakt,” shtoi ai.
Sipas Cakollit, pavarësisht lojës së nervave dhe mungesës së besimit mes palëve, zgjidhja e bllokadës parlamentare nuk është e largët. Ai theksoi se ajo varet nga vullneti i LVV-së për të bërë konsultime reale dhe konstruktive dhe nga gatishmëria e partive të tjera për t’iu qëndruar premtimeve të tyre publike. /Kosova.info/
