Kelmendi: Bllofi i Vetëvendosjes, kjo është tallje me shtetin

Analisti politik Adriatik Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar rreth zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit duke e quajtur qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) një bllof politik.

“Nëse Albin Kurti vërtet do të dëshironte ta zgjedhte sa më shpejt kryetarin e Kuvendit, do ta bënte qysh sot. Në stilin e tyre të nxjerrjes së topave prej mikserit të lotos, çdo pesë minuta do të mund të propozonin nga një kandidat. 47 kandidatë i kanë për këtë pozitë. Nëse nuk do t’i merrnin 61 vota, atëherë PDK dhe AAK do të dilnin keq dhe faji do t’u mbetej atyre”, u shpreh Kelmendi.

Ai theksoi se pa një marrëveshje të qartë politike nuk mund të ketë shumicë duke kujtuar se LDK-ja tashmë ka deklaruar publikisht se nuk voton askënd pa marrëveshje.

“Partisë së parë, po, i takon ta propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, por duhet t’i ketë së paku 61 vota. Kur nuk i ka, duhet t’i gjejë. Për t’i gjetur, duhet të diskutojë me të tjerët të cilët me marrëveshje do t’ua japin votat e tyre. Kjo nuk bëhet duke pritur emrat si numrat që dalin prej mikserit të lotos. Kështu nuk respektohen as Dimal Basha e as Arbërie Nagavci, dhe në këtë mënyrë Kurti i tallë edhe ata, edhe LVV-në, edhe Kuvendin, edhe qytetarët e Kosovën”, shtoi ai.

Kelmendi e përmbylli reagimin e tij duke e cilësuar këtë situatë si kulmin e joseriozitetit: “Ultë shumë! Lowest of the low, thonë amerikanët.” /Kosova.info/


Go to TOP