Berisha: Vetëvendosja nuk ka interes të zhbllokojë procesin, tashmë e ka kapur shtetin

Avokati Besnik Berisha ka reaguar lidhur me ngërçin politik dhe procesin e bllokuar të formimit të institucioneve duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye të kërkojë zhbllokimin.

“S’ka si të jetë ndryshe. Duhet me qenë goxha naiv (lexo budalla) për të menduar se Vetëvendosja ka interes ta zhbllokojë procesin e formimit të institucioneve. Pse do ta bënte?!”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, kjo parti tashmë e ka përqendruar pushtetin duke kontrolluar ekzekutivin dhe institucionet kryesore të sigurisë e ekonomisë. “Ata tashmë e kanë uzurpuar qeverinë, kontrollojnë drejtpërdrejt Policinë, AKI-në, diktojnë çdo punësim në sektorin publik dhe vendosin kë të duan në institucione si ATK, Dogana e bordet e ‘pavarura’”, shtoi ai.

Berisha tha se për këtë arsye Vetëvendosja nuk ka interes të arrijë marrëveshje për zhbllokimin e Kuvendit. “Kur çdo gjë është e kapur, çfarë arsye kanë të kërkojnë më shumë? Prandaj cikli i propozimeve pa ‘bereqet’ vazhdon dhe tallja me qytetarët është shndërruar në normë”, përfundoi ai. /Kosova.info/


Go to TOP