Matoshi: Kurti po e shkel Kushtetuesen me kandidimin e Muratit, po blen kohë me Listën Serbe

Analisti Halil Matoshi ka dalë me një analizë ku akuzon kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se nuk po e zbaton verdiktin e Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit 2025, i cili sipas tij obligon partinë fituese që, përveç të drejtës për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi, të sigurojë edhe shumicën prej 61 votash nëpërmjet mirëbesimit, kompromisit dhe marrëveshjes me grupet e tjera parlamentare.

Sipas Matoshit, VV nuk po e respekton këtë detyrim duke kandiduar figura kontroverse pa konsensus, si Hekuran Murati, i cili më herët kishte bërë një deklaratë të diskutueshme për mercenarët e luftës, edhe pse më vonë kërkoi falje. Ai thotë se Kurti e di me saktësi që emra të tillë nuk kanë gjasa të marrin mbështetje duke dëshmuar se synimi i tij nuk është konstituivi i Kuvendit në këtë fazë.

Matoshi shton se Kurti po e zvarrit procesin për të fituar kohë, ndërkohë që po përpiqet të rreshtojë partitë e tjera përmes propagandës me Listën Serbe. Sipas tij, edhe abstenimi taktik i ish-opozitës në KQZ për Listën Serbe, ndonëse ky organ nuk ka kompetencë për ta shpallur një parti të jashtëligjshme, dëshmon se ato parti po e ndihmojnë Kurtin në kursin e tij që ai e quan “antishtet”.

Në përfundim, Matoshi vlerëson se Lista Serbe, e cila pas ngjarjes në Banjska ishte para shpërbërjes dhe pa kauzë, u ringrit politikisht pikërisht falë ndërhyrjes së Kurtit dhe mbështetjes së gjetur në KQZ. /Kosova.info/


Go to TOP