Moscertifikimi i Listës Serbe, Quint dhe BE: Ky akt shkatërron besimin në institucionet e Kosovës

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me përpjekjet e disa akterëve politikë për kufizimin e konkurrencës ndërmjet partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.

Në një deklaratë të përbashkët, këto misione theksojnë se çdo përpjekje për të përjashtuar komunitete të caktuara nga procesi zgjedhor minon parimet demokratike dhe dëmton besimin në institucionet e Kosovës.

“Presim që qeveria në ikje dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të zhvillohen në mënyrë rigoroze në përputhje me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror Zgjedhor”, thuhet në reagim.

Gjithashtu, ambasadat dhe Zyra e BE-së inkurajuan partitë e prekura që të shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë, përfshirë Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për të kërkuar rivendosjen e të drejtave të tyre. /Kosova.info/


Go to TOP