Trump jep afat 2-javor për vlerësimin e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë një afat prej dy javësh për të vlerësuar shanset e një marrëveshjeje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës.

“Brenda dy javësh do ta dimë një herë e mirë,” deklaroi Trump në një intervistë telefonike për mediat amerikane, kur u pyet për gjasat e arritjes së paqes. Ai shtoi se pas kësaj periudhe, “ndoshta do të duhet të marrim një qasje tjetër”, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Trump u takua javën e kaluar me presidentin rus Vladimir Putin në një samit të zhvilluar në Alaskë, i cili përfundoi pa marrëveshje dhe pa një armëpushim fillestar. Të hënën, kreu i Shtëpisë së Bardhë priti në Uashington presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe disa aleatë evropianë.

Takimet kishin ngritur pritshmëritë për një takim të mundshëm mes Putinit dhe Zelenskyt, por presidenti ukrainas akuzoi Rusinë të enjten se po shmang një përballje direkte dhe se nuk dëshiron t’i japë fund luftës. Nga ana tjetër, Moska e akuzoi Kievin për mungesë interesi për një paqe afatgjatë, duke thënë se kërkesat e Ukrainës janë të papajtueshme me qëndrimin rus.


Go to TOP