Matoshi: Ndalne me forcën e ligjit Listën Serbe – jo me politika populliste!
Analisti Halil Matoshi ka reaguar lidhur me debatin për ndalimin e Listës Serbe duke e cilësuar mënyrën e ndjekur nga kryeministri Albin Kurti si veprim antikushtetues dhe të dëmshëm për shtetin e Kosovës.
Në një analizë të tij, Matoshi thotë se Lista Serbe është dashur të shpallet e jashtëligjshme qysh pas inkursionit në veri, kur njerëzit e saj të udhëhequr nga Milan Radojčić ishin përfshirë në veprime kriminale. Sipas tij, ndalimi i saj duhej të bëhej përmes procedurave të rregullta ligjore, me aktakuzë të ngritur nga Prokuroria, me dokumentim të AKI-së, MPB-së dhe MPJ-së, dhe në fund me shpalljen e saj organizatë terroriste e më pas çregjistrim nga KQZ.
Ai e kritikon Kurtin se po e përdor këtë çështje për popullizëm zgjedhor duke cenuar barazinë para ligjit dhe duke rrezikuar funksionimin demokratik të institucioneve. Sipas Matoshit, kjo qasje e dëmton rëndë Kosovën në arenën ndërkombëtare, forcon nacionalizmin e Vučićit, e mbyll derën e anëtarësimit në Këshillin e Europës e NATO, si dhe largon investimet e huaja.
Matoshi thekson se edhe partitë tjera opozitare nuk kanë guxim qytetar e as patriotizëm kushtetues duke lejuar që Kurti t’i fusë në agjendën e tij politike. Ai paralajmëron një skenar të rrezikshëm, ku pas vendimit të PZAP-it ose edhe Gjykatës Supreme për certifikimin e Listës Serbe, vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re institucionale dhe zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në fund, Matoshi thekson se pa një pakt të të gjitha partive politike, shteti i Kosovës rrezikon të bjerë duke shtuar se vetëm një ndërhyrje urgjente nga administrata e Donald Trump do të mund ta ndalte, sipas tij, kalbëzimin dhe shpërbërjen e shtetit kosovar. /Kosova.info/
