Lumi, përrenj e përroska në Llap, po shndërrohen në toksike nga mbeturinat

Banorë të Malësisë së Llapit, janë të pafuqishëm për t’i mbrojtur pasuritë natyrore për jetë. Lumi, përrenj e përroska, tashmë janë shndërruar në zona toksike, për shkak të kundërmimit të rëndë nga mbeturinat e hedhura vend e pavend.

Ndotja e rrjedhave lumore në Podujevë vazhdon të shkaktojë dëme në aspektin ambiental, pavarësisht se komuna ka rregulluar çështjen e mbledhjes së mbeturinave. Banorët dëshmojnë se ndotjen e rrjedhave ujore, të cilat bashkohen me lumin Llap në qytet, po e bëjnë njerëz të pandërgjegjshëm edhe nga qytetet tjera. Rrjedhat lumore dhe përroskat që derdhen në lumin Llap po mbyten ngadalë nën peshën e mbeturinave urbane, të mbetjeve ndërtimore e industriale, duke marrë pamjen e një kanali helmi.

Nga burime jete, lumenjtë po shndërrohen në varre të heshtura mjedisore.

Banorë të Malësisë së Llapit thonë se përroin dhe shumë përroska tjera, që dikur ishin pasuri natyrore për bujqësi e jetesë, tash i quajnë zona toksike për shkak të erës së rëndë dhe hedhjes së pakontrolluar të mbeturinave.

Shqetësimi i banorëve ka arritur në nivel alarmi, ndërsa kërkojnë veprime konkrete nga institucionet dhe vetëdijesim më të madh qytetar.

“Po ndodh vallahi prej Podujevë vijnë i qesin ktu edhe na e kanë mbushë rekën. Nuk kapërcehet prej erës së tyre. Na për veti i paguajmë, vijnë na marrin bërllokun javë për javë, ai vjen i merr mbeturinat, e do vallahi nuk e kanë paguar”, tha Naman Bujaku, banor i fshatit Pakashticë.

“Burimet ujore që dalin prej tokës janë të pijshme, por me kalimin e rrugës kur bashkohen me lumin Llap, mbeturinat që i hedhin njerëzit e pandërgjegjshëm e helmojnë ujin. Nuk po ka efekt as për vaditjen e kopshtit, misrit e punëve bujqësore”, shtoi Islam Aliu, banor i po këtij fshati.

Zyrtarë të Komunës së Podujevës e pranojnë problemin, por theksojnë se janë duke pritur angazhim më konkret nga kompania e pastrimit për t’i evidentuar borxhet dhe për përmirësuar transportimin e mbeturinave.

“Ka pasur një numër të konsiderueshëm të ekonomive familjare të paregjistruara për inkasim, diku rreth 40%. Tash me regjistrimin, me mbështetjen edhe të GIZ-it, e kemi mbi 90%. Tash është në dorën e kompanisë që t’i fusë në sistem dhe të fillojë me inkasimin”, tha Bahri Selimi, drejtor i Shërbimeve Publike, Podujevë.

Banorët dhe përfaqësuesit institucionalë thonë se vetëm me bashkëpunim mes shtetit dhe qytetarëve mund t’u kthehet lumenjve funksioni i tyre si burim jete. Por koha për të ndryshuar është tani, nëse ende nuk është bërë vonë.


Go to TOP