Cakolli: Dalja i pari në zgjedhje nuk nënkupton fitoren e tyre
Eugen Cakolli nga KDI ka theksuar se në një sistem parlamentar si ai i Kosovës, të dalësh i pari në zgjedhje nuk do të thotë automatikisht të fitosh ato.
Ai shpjegoi se institucionet formohen vetëm përmes ndërtimit të shumicës së nevojshme, ndërsa të qenit “partia e parë” nuk përbën të drejtë absolute për të udhëhequr vendin, veçanërisht në mungesë të kompromisit me forca të tjera politike.
“Nëse nuk fiton 61 mandate, partia e parë nuk ka fituar asgjë tjetër përveç të drejtës për të nisur negociatat me të tjerët. Madje, në sistemin tonë, as fitimi i 50%+1 të votave nuk e garanton shumicën në Kuvend,” u shpreh Cakolli.
Ai shtoi se në demokraci, vota e deputetëve nuk mund të imponohet as me retorikë, etiketime, linçime apo presion publik, pasi dështimi i një kandidature nuk lidhet me emra të përveçëm apo biografi familjare, por me mungesën e mbështetjes së nevojshme.
Sipas tij, pa vullnet për kompromis dhe marrëveshje politike që siguron shumicën parlamentare, përgjegjësia për bllokadën bie mbi ata që refuzojnë të pranojnë realitetin politik. /Kosova.info/
