OEK padit ZRrE-në në Gjykatën Supreme për tregun e energjisë
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në kuadër të së cilës funksionon edhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, ka dorëzuar sot zyrtarisht në Gjykatën Supreme padinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për vendimin që detyron bizneset të dalin menjëherë në tregun e lirë të energjisë.
Sipas OEK-ut, ky veprim është ndërmarrë për të mbrojtur interesat e bizneseve, veçanërisht të sektorit prodhues dhe gjithë ekonomisë së vendit, pasi vendimet e njëanshme dhe pa tranzicion të drejtë kanë shkaktuar kosto të larta, pasiguri dhe rrezik për funksionimin normal të kompanive vendore.
“Oda Ekonomike e Kosovës thekson se liberalizimi i tregut të energjisë nuk mund të bëhet me imponim, por vetëm përmes një procesi të drejtë, transparent dhe me faza tranzicioni, ashtu siç ndodh në vendet me ekonomi funksionale,” thuhet në njoftim.
OEK dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për të mbrojtur të drejtat e bizneseve dhe për të siguruar kushte të barabarta për të gjithë investitorët dhe prodhuesit në vend. /Kosova.info/
