Ajvazi: Mos i terrorizoni prodhuesit me polici, nuk janë kriminelë
Kushtrim Ajvazi nga Shoqata e Prodhuesve të Kosovës, njëherësh ekspert gjyqësor financiar, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve për ndërprerjen e energjisë elektrike për disa kompani prodhuese në vend.
Ai tha se ka marrë një telefonatë nga një kompani me investitor evropian, e cila ka zhvendosur aktivitetin nga Serbia në Kosovë dhe ka investuar rreth 20 milionë euro, duke planifikuar zgjerim dhe hapjen e deri në 500 vendeve të punës.
Sipas Ajvazit, kjo kompani ligjërisht nuk i plotëson kushtet për të dalë në tregun e lirë të energjisë, pasi nuk ka mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Megjithatë, sot ajo është vizituar nga policia për t’i ndërprerë furnizimin me energji, duke i vendosur “drynin” aktivitetit të saj.
“Ju lutem, mos shkoni me i terrorizu prodhuesit me polici, se nuk janë kriminela! Pyetja është: pse duhet me shku me polici me i terrorizu bizneset që kanë investuar miliona euro? A është ky mesazhi që duam t’u japim investitorëve të huaj dhe prodhuesve tanë? Ndaluni,” tha Ajvazi.
Ai kujtoi se gjatë fushatës së fundit zgjedhore, kjo kompani është vizituar nga vetë kryeministri në detyrë, i cili u shpreh krenar për investimin e saj në Kosovë, ndërsa sot investitori përballet me policinë në derë. /Kosova.info/
