DhTIK kundër shkyçjes së bizneseve nga energjia: “Rrezikohen 22 mijë vende pune”

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka rishprehur indinjatën dhe kundërshtimin e fuqishëm ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila ka urdhëruar KEDS-in të nisë shkyçjen e qindra bizneseve që nuk janë pajtuar me kushtet e ofruara nga kompanitë e licencuara. Sipas Dhomës, këto kushte janë “të papranueshme dhe të dëmshme” për bizneset, ndërkohë që shumë kompani kanë marrëveshje të përkohshme ose janë në pritje të vendimeve gjyqësore e formimit të institucioneve të reja.

Ky vendim, sipas Dhomës, është arbitrar dhe i papërgjegjshëm, duke rritur çmimet për konsumatorët dhe duke vënë në rrezik të paktën 22 mijë vende pune. “Në çdo vend tjetër, një kërcënim i tillë do të ngjallte alarm të menjëhershëm, por në Kosovë institucionet po zgjedhin të heshtin, duke u bërë bashkëpërgjegjëse për pasojat e rënda,” thuhet në reagim.

Dhoma paralajmëron se pasojat e këtij hapi do të jenë dramatike: mbyllje e aktiviteteve biznesore, humbje e prodhimit vendor, rritje e importeve, rritje e çmimeve dhe varfërim i mëtejmë i qytetarëve. Ajo kërkon urgjentisht nga institucionet që të ndërhyjnë dhe ta ndalin këtë proces, i cilësuar si “i dhunshëm dhe i padrejtë”, për të mbrojtur ekonominë dhe stabilitetin social në vend. /Kosova.info/


Go to TOP