Prodhuesit e Kosovës kundër ndërprerjes së energjisë për bizneset nga 16 gushti: Rrezik për prodhimin dhe ekonominë
Shoqata e Prodhueseve të Kosovës, që vepron në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, ka shprehur shqetësim të thellë për pasojat që mund të shkaktojë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për bizneset, e paralajmëruar të nisë nga data 16 gusht.
Në reagimin e saj, Shoqata i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të mos zbatojë këtë masë, duke theksuar se ajo do të kishte pasoja të rënda, përfshirë ndërprerjen e prodhimit, humbjen e vendeve të punës, rritjen e çmimeve për konsumatorët, dëmtimin e kontratave me partnerët ndërkombëtarë dhe uljen e konkurrueshmërisë së prodhuesve kosovarë në tregjet e huaja.
“Ne nuk jemi kundër liberalizimit të tregut të energjisë, por kërkojmë që ky proces të zbatohet në mënyrë transparente, me konsultime të mirëfillta dhe me çmime të arsyeshme, të krahasueshme me rajonin”, thuhet në deklaratë.
Prodhuesit kërkojnë nga ZRRE të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme që mbron prodhimin vendor dhe ekonominë e Kosovës, duke paralajmëruar se çdo vendim i nxituar do të dëmtojë rëndë sektorin privat dhe punësimin në vend. /Kosova.info/
