Runis Home hap fabrikën e re në Shkabaj, mundësi për punësimin e të rinjve e të rejave
Runis Home ka bërë sot hapjen e fabrikës së re në Shkabaj, një investim ky i cili hap mundësi për vende të reja pune për të rinjtë e të rejat nga Kosova. Hapja e kësaj kompanie u bë në praninë e familjarëve, miqve e akterëve institucionalë.
Pronari dhe themeluesi i kësaj kompanie, Veton Berisha ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në hapjen e kësaj pike, duke thënë “ia kanë filluar prej zeros”.
Berisha: Kemi filluar prej zeros deri tash ku kemi mbërri
“Kemi filluar prej zeros deri tash ku kemi mbërri, shpresojmë ende të ecim përpara. Vetëm me juve bashkë”, tha ai shkurt para të pranishmëve.
I pranishëm në hapjen e pikës së re të “Runis Home” ka qenë kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili theksoi se “patriotizmi më i madh për vendin është që të krijohen mundësi të punës”.
Gashi: Mbi 30 biznese prodhuese janë në komunën tonë
“Kur kam filluar mandatin në komunën time, ky objekti përballë ka qenë në këtë zonë, tani Obiliqi ju e dini që njihet si një zonë industriale, ka kapacitete. Është fat i mirë që mbi 30 biznese prodhuese janë tani në komunën tonë, kështu që më lejoni që edhe në emër të institucionit komunal të falënderojë Veton, për një punë kaq të madhe, për një mundësi për të rejat dhe të rinjtë tonë për të gjetur një punë. Dhe unë konsiderojë që patriotizmi më i madh është sot që të krijohen mundësi të punës”, tha ai.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se hapja e kësaj kompanie do të ndihmojë ekonominë e vendit.
Konjufca: Hapja e kësaj kompanie e forcon ekonominë tonë
“Me më së shumti dëshirë aktivitet nëpër të cilat marrë pjesë janë pikërisht këto, ku i bëhet një shërbim shumë i mirë edhe vendit dhe forcon ekonominë tonë. Hapja e kësaj kompanie është pikërisht kështu. Baza më e fortë e ekonomisë, e një ekonomie të qëndrueshme është aspekti i prodhimtarisë. Nëse kemi mundësi që të ndërtojmë kapacitete prodhuese në vendin tonë. E Vetoni prej kur më kujtohet që e njoh, e Vetonin e njoh prej kur kemi qenë fëmijë, sepse ky është edhe shkaku pse e njoh personalisht dhe familjen Berisha drejtpërdrejt, sepse kemi qenë komshinjtë e parë në Kodrën e Diellit prej viteve të 90-ta, e kam përcjellë Vetonin në çdo hap të tij, çka mendoj që është vlerë e shtuar për ta përmendur, sot është pikërisht ngjitja e çdo shkalle të mundshme për t’u ngritur dhe për të krijuar një kompani si kjo qysh nga fillimi. Me ndershmëri, ashtu siç duhet të ecë njeriu drejt, me nder dhe në mënyrë graduale duke u ngritur dhe duke ardhur deri te kjo që po e shohim sot”, tha ai.
Runis Home u themelua në prill 2015, ku gjithçka nisi me vetëm dy punëtorë, raporton KosovaPress. Nëntëdhjetë për qind e stafit të Runis Home janë gra, për çka punësimi në këtë kompani ka kontribuar në fuqizimin dhe emancipimin e grave në vend. Runis Home ofron produkte me kualitet gjerman, duke përfshirë peshqir, çarçaf, jorgan, jastëk, tepih, dekore dhe amvisëri.
