Llugaliu e Tanigaki biseduan për rritjen e investimeve të huaja

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, priti në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Prishtinë, Hiroyasu Tanigaki, në një takim të rëndësishëm të fokusuar në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe theksimin e rëndësisë strategjike të Doganës së Kosovës për zhvillimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve të huaja, veçanërisht ato nga Japonia.

Në një njoftim për medie bëhet e ditur se drejtori Llugaliu e njoftoi shkëlqesinë e tij, Tanigaki, për progresin e bërë nga Dogana e Kosovës, duke theksuar efikasitetin në mbledhjen e të hyrave për shtetin, mbrojtjen e shoqërisë dhe lehtësimin e qarkullimit tregtar. Ai veçoi faktin se, sipas matjeve të  Sekretariatit të CEFTA-s për shpejtësinë e përfundimit të procedurave doganore në eksport dhe import, Kosova mban rekordin si vendi i parë në rajon.

“Takimi u fokusua gjithashtu në rolin e Doganës së Kosovës për efikasitetin në mbrojtje të shoqërisë dhe menaxhimin efikas të pikave kufitare, të cilat janë të rëndësishme për përshpejtimin e fluksit të mallrave dhe krijimin e kushteve të favorshme për bizneset, përfshirë ato japoneze. Drejtori Llugaliu shprehu mirënjohje për Qeverinë e Japonisë për mbështetjen e  dhënë përmes shumë programeve në kuadër të Organizatës Botërore të Doganave (OBD), duke theksuar se Japonia ka dhënë një kontribut të madh ndër vite dhe se edhe shërbimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OBD-së nga Japonia zt. Kunio Mikurya i cili ka shërbyer për 15 vite në krye të organizatës, duke ndihmuar në zhvillimin dhe transformimin e doganave në gjithë botën dhe duke krijuar trashëgimi të vlefshme për komunitetin global doganor, përfshirë Kosovën”, thuhet në njoftim.

Llugaliu theksoi gjithashtu se që nga anëtarësimi, Dogana e Kosovës ka kontribuar në luftën globale dhe rajonale kundër kontrabandës, si dhe ka ofruar ekspertizë përmes ekspertëve të saj të akredituar në OBD, duke shpërndarë praktika të mira ndërkombëtare.

Tutje, Llugaliu prezantoi përparësitë që ofron Dogana dhe shteti i Kosovës për investitorët e huaj, duke vënë theks të veçantë te mundësitë që krijon operimi i Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit. Kjo procedurë u mundëson bizneseve që zhdoganimi të kryhet në një vend të vetëm, pa vonesa të panevojshme, duke përbërë një avantazh të madh për Kosovën.

Nga ana e tij, i ngarkuari me punë të Ambasadës së Japonisë në Prishtinë, Hiroyasu Tanigaki, shprehu mirënjohje për arritjet e Doganës së Kosovës dhe interesim për t’i njoftuar bizneset japoneze me këto përparësi, duke vlerësuar veçanërisht lehtësitë që ofron zhdoganimi në Durrës për kompanitë japoneze. Ai theksoi se Japonia është e interesuar të rrisë shkëmbimet tregtare dhe investimet në Kosovë, duke parë bashkëpunimin me Doganën si një element kyç në krijimin e kushteve të favorshme për këtë qëllim.

Të dy u pajtuan se bashkëpunimi në mes të Doganës së Kosovës dhe Ambasadës Japoneze si dhe autoriteteve japoneze duhet të vazhdojë. /Kosova.info/


Go to TOP