OSBE dhuron pajisje për zbulimin e parave të falsifikuara Policisë së Kosovës
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka pranuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë dy pajisje të avancuara për detektimin dhe numërimin e parave të falsifikuara, që mund të përdoren si për kartëmonedha ashtu edhe për monedha metalike. Donacioni u bë si pjesë e vazhdimit të bashkëpunimit në fushën e parandalimit dhe luftimit të korrupsionit.
Ceremonia e pranim-dorëzimit u zhvillua në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, Drejtorit të Departamentit të Hetimeve dhe Drejtorit të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ndërsa OSBE u përfaqësua nga Bertram Welsing, Drejtor i Departamentit për Siguri dhe Rend Publik.
Ky donacion është vazhdim i “Trajnimit të Specializuar mbi Hetimin e Parave të Falsifikuara”, i realizuar këtë vit nga OSBE në bashkëpunim me Policinë e Kosovës. Pajisjet e reja pritet të ndihmojnë ndjeshëm punën operative të policisë, veçanërisht në rastet e sekuestrimit të valutës së dyshuar si e falsifikuar duke përshpejtuar procesin e kontrollit, përmirësuar efikasitetin dhe reduktuar kohëzgjatjen e procedurave hetimore. /Kosova.info/
