OEK reagon ndaj ndryshimit të masës së sigurisë nga Gjykata Komerciale, kërkon nga ZRrE të mos dëmtojë bizneset
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka pranuar me shqetësim vendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale për të ndryshuar masën e sigurisë lidhur me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 275/24 të datës 5 prill 2024 dhe njoftimit të datës 12 mars 2025 të lëshuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).
Në një komunikatë për media, OEK ka theksuar se, duke qenë institucion publik, nuk e komenton vendimin e gjykatës, por do të vazhdojë betejën ligjore përmes mjeteve të tjera ligjore të parapara, brenda afateve të caktuara. OEK ka paralajmëruar se për çdo zhvillim do të informohen me kohë të gjithë anëtarët e saj.
Pavarësisht këtij vendimi, OEK ka kërkuar nga ZRrE që të mos ndërmarrë veprime që mund të dëmtojnë më tej bizneset në vend. Sipas Odës, vendimet e deritanishme të ZRrE-së kanë pasur ndikim negativ në ekonominë e vendit dhe kanë kontribuar në rritjen e kostos së jetesës për qytetarët e Kosovës.
OEK ka njoftuar gjithashtu se në ditët në vijim do të zhvillojë konsultime me komunitetin e biznesit për të shqyrtuar hapat e ardhshëm që do të ndërmerren, duke premtuar transparencë dhe komunikim të vazhdueshëm. /Kosova.info/
