​Diplomojnë 107 oficerë doganorë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë sot në ceremoninë e diplomimit të 107 oficerëve doganorë të gjeneratës e cila përkon edhe me shënimin e 26-vjetorit të themelimit të Doganës së Kosovës.

Në fjalën hyrëse, kryeministri Kurti tha se në këto 26 vjet që nga themelimi i saj, Dogana e Kosovës ka qenë më shumë sesa një institucion fiskal, ka qenë shtyllë e mbrojtjes së sovranitetit tonë shtetëror, një mekanizëm i domosdoshëm për sigurinë ekonomike dhe një vijë e parë e mbrojtjes kundër kontrabandës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Rruga për konsolidimin e këtij institucioni nuk ka qenë e lehtë. Dogana ka kaluar nëpër periudha sfidash të mëdha, duke përfshirë vitet e para të pas luftës, përpjekjet për të konsoliduar pikat kufitare dhe në veçanti momentet e rënda kur pikat në veri të vendit u dogjën e u shkatërruan nga grupe kriminale të udhëhequra nga Serbia. Në këtë rrugëtim kemi kujtuar dhe do të kujtojmë gjithmonë heronjtë tanë, si Enver Zymeri e Rreshter Afrim Bunjaku, që ranë në krye të detyrës për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës. Në vitet e fundit, si qeveri kemi ndërmarrë hapa të qartë dhe të vendosur për të forcuar rendin, paqen e sigurinë gjithnjë përmes sundimit të ligjit në gjithë territorin e vendit, përfshirë edhe në veri të Mitrovicës”, u shpreh ai. 

Sot, rezultatet janë të prekshme e të dukshme: rritje të ndjeshme të konfiskimeve dhe një kontroll më të madh mbi kufijtë tanë. Dogana ka arritur rekorde historike në të hyra, duke tejkaluar projeksionet vjetore. Marrëveshja për hapësirat e përbashkëta doganore me Shqipërinë ka ulur ndjeshëm kostot për bizneset tona dhe ka rritur efikasitetin. Po ashtu, vendosja e shumicës së terminaleve në menaxhim të shtetit ka kursyer miliona euro për ekonominë tonë duke bërë që kostoja për bizneset të ulet dukshëm.

Duke uruar gjeneratën e re të oficerëve doganorë, kryeministri tha se me ta Dogana përveçse staf të ri, fiton edhe energji të re, mendim të freskët dhe motivim për të ecur bashkë përpara, teksa tha se ata nuk janë thjesht punonjës të ardhshëm, por mbrojtës të kufirit ligjor dhe ekonomik të vendit.  

“Shërbimi juaj kërkon integritet, përkushtim dhe guxim. Nuk është vetëm punë, është mision. Një mision për të cilin pak njerëz kanë privilegjin të angazhohen, por përgjegjësia e të cilit është e lartë, sepse çdo vendim juaji prek sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh kryeministri Kurti.

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, që po ashtu ishte në ceremoninë e diplomimit të oficerëve doganorë, tha se ky sot është një moment krenarie për familjarët, por edhe për vetë kadetët, të cilët po vihen në shërbim vendit, e siç u shpreh ai, nuk ka detyrë e punë më fisnike se sa të shërbesh për shtetin tënd, për vendin tënd. /Kosova.info/


Go to TOP