Muharremi: Pas pesë vitesh pushtet, LVV s’e reformoi drejtësinë – vetëm sulme dhe justifikime

Analisti politik Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) duke e akuzuar se nuk e ka mbajtur premtimin kryesor për reformimin e sistemit të drejtësisë, pavarësisht se ka pasur “fuqi absolute” gjatë katër deri në pesë viteve të fundit në pushtet.

Muharremi kujtoi se LVV ishte votuar masivisht në vitin 2021 pikërisht për premtimin e reformës së drejtësisë dhe ndërtimin e një sistemi efikas, të pavarur e profesional. Sipas tij, pas gjithë kësaj kohe, gjendja nuk ka ndryshuar dhe problemet mbeten të njëjta si më parë.

“Pas kaq shumë viteve premtime, po na dalin prapë në sipërfaqe të njëjtat probleme si më parë. Vitet tona humbën kot,” u shpreh ai.

Ai solli si shembull rastin e Gjilanit, ku sipas tij madje edhe ministra të qeverisë, që duhet të luftojnë krimin, shihen në fotografi me persona të dyshuar për veprimtari kriminale.

Muharremi kritikoi edhe qasjen e qeverisë ndaj Gjykatës Kushtetuese duke thënë se në vend të reformave, po ndodhin “sulme direkte” ndaj gjyqtarëve me emra e mbiemra, gjë që e konsideron të papranueshme.

“Në vend të drejtësisë funksionale, pas pesë viteve kemi sulme brutale dhe tentime për t’u justifikuar për dështimin me e arritur premtimin kryesor pse kanë ardhur në pushtet,” theksoi analisti.

Sipas tij, situata aktuale është “jashtëzakonisht dëshpëruese”, pasi qytetarët nuk shohin rezultate të prekshme nga reforma, por vetëm “justifikime, sulme, ankesa dhe tendenca për shfajësim” nga partia në pushtet. /Kosova.info/


Go to TOP