Gjuan në aheng i konfiskohet alltia
Një person është intervistuar nga Policia e Kosovës pasi kishte shtënë me armë zjarri në një aheng familjar në rrugën “Adem Jashari” në Shtime, si dhe i është konfiskuar revolja.
Rasti ka ndodhur më 10 gusht 2025, rreth orës 15:50, në Shtime kur Stacioni Policor atje ka marrë informacion për gjuajtje me armë. Patrulla policore menjëherë ka arritur në vendin e ngjarjes, ku ka kontaktuar me pronarin e ahengut, i cili ishte njëkohësisht edhe personi i dyshuar.
Ai ka pranuar se kishte shtënë tri herë me armë zjarri.
Policia ka konfiskuar një pistoletë, në pronësi të të dyshuarit N.R., 38 vjeç. Pas intervistimit në prani të avokatit të caktuar sipas detyrës zyrtare, dhe me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se rasti po hetohet për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Autoritetet apelojnë tek qytetarët që të shmangin përdorimin e armëve në ahengje apo festa, pasi çdo e shtënë paraqet rrezik për jetën dhe sigurinë e njerëzve.
“Gëzimet festoni me zemër, jo me armë” – thuhet në apelin e policisë.
