LDK pret znj. Anu Prattipati nga ambasada amerikane 0 Diskutohet kriza politike dhe roli i Gjykatës Kushtetuese
Nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami dhe Lutfi Haziri, si dhe deputetja Jehona Lushaku, pritën sot në Selinë Qendrore të LDK-së të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj. Anu Prattipati.
Në këtë takim u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi situatën e krijuar pas mos-konstituimit të Kuvendit të Kosovës. U nënvizua rëndësia që kjo çështje të trajtohet me përgjegjësi nga Gjykata Kushtetuese, ku Lidhja Demokratike ka dorëzuar lëndën për interpretim të Kushtetutës.
Përfaqësuesit e LDK-së theksuan se vendimi i Gjykatës duhet të jetë i drejtë dhe i bazuar në Kushtetutë, në funksion të garantimit të stabilitetit institucional dhe daljes sa më parë nga kriza aktuale politike.
Në fund, LDK shprehu mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës në të gjitha fazat e shtetformimit, duke vlerësuar se miqësia dhe partneriteti i qëndrueshëm me SHBA-të mbeten jetik për zhvillimin demokratik dhe euroatlantik të vendit. /Kosova.info/
