Matoshi kritikon Presidenten Osmani: E tërhoqi kërkesën nga Kushtetuesja për inat dhe certifikatë patriotizmi nga VV
Publicisti Halil Matoshi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të tërhequr kërkesën e saj nga Gjykata Kushtetuese. Në një analizë të ndarë në disa pika, Matoshi e quan Presidenten “inatçore” dhe e akuzon për paaftësi në formulimin e një kërkese valide-normative drejtuar Kushtetueses duke pretenduar se tërheqja ishte një veprim i motivuar politikisht për të fituar simpatinë e Lëvizjes Vetëvendosje.
Matoshi thekson se sipas Rregullores së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari Radomir Laban, i cili ishte caktuar si gjyqtar raportues, nuk do të mund të ishte pjesë e kolegjit shqyrtues duke e cilësuar këtë në fakt si një avantazh për Presidenten dhe jo si një arsye për tërheqje. Ai gjithashtu përmend se sipas nenit 23 të së njëjtës rregullore, Gjykata është e detyruar të shqyrtojë një kërkesë valide edhe nëse ajo tërhiqet.
Në vijim, Matoshi ngre shqetësime për çështjen e sigurisë që lidhet me gjyqtarin Laban duke përmendur informacione të klasifikuara që, sipas tij, duhet të ishin ndjekur penalisht nga institucionet përkatëse. Sipas tij, Presidentja Osmani kishte heshtur për këto informacione më herët, por po i përdor tani për qëllime personale.
Në fund, ai kujton se Osmani, si deputete në vitin 2018, kishte mbështetur zgjedhjen e Labanit për në Kushtetuese dhe e sfidon publikisht të dëshmojë të kundërtën. Sipas Matoshit, ky episod dëshmon një politikë të ndërtuar mbi motive nacionaliste e jo mbi vlera të patriotizmit kushtetues, edhe 26 vjet pas çlirimit të vendit. /Kosova.info/
