Peci: Nëse VV e injoron vendimin e Kushtetueses, s’na mbetet tjetër veçse t’i themi lamtumirë shtetit
Ish-ambasadori dhe analisti politik, Lulzim Peci, ka reaguar ashpër në prag të vendimit të shumëpritur të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të merret më së largu deri më 8 gusht. Sipas Pecit, ky vendim përbën shpresën e fundit për të dalë nga bllokada institucionale që po e rëndon Kosovën.
“Shpresa e fundit Kosovës i ka mbetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese që duhet të merret më së largu deri më 8 gusht,” ka shkruar Peci.
Ai paralajmëron se nëse ky vendim nuk do të jetë në funksion të ndërtimit të institucioneve, apo edhe më keq – nëse ai injorohet nga Lëvizja Vetëvendosje – atëherë kriza politike do të thellohet deri në pikën e rrezikimit të vet shtetit.
“Nëse edhe ky vendim nuk e trason rrugën për ndërtim të institucioneve, apo në rastin më të keq ai injorohet nga VV, nuk do të mbetet gjë tjetër, përpos me ia bë lamtumirë shtetit tonë,” thekson Peci.
Duke përmbyllur reagimin e tij me vargjet e njohura të Fan Nolit “Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani e mjere mileti,” Peci ngre alarmin për një rrezik real institucional e demokratik në vend, nëse nuk ka zbatim të vendimeve të instancës më të lartë kushtetuese. /Kosova.info/
