Në përvjetorin e 51-të të meshtarisë së Don Fran Sopit, ish-famullitari i parë historik i Klinës

(Në vend të urimit)

Shkruan: Lekë MRIJAJ

Vitin e kaluar me 3 gusht 2024, në kishën e shenjtë “Shën Ndout” në Binçë, u mblodhën besimtarë nga mbarë Kosova dhe diaspora për të kremtuar një ngjarje të shënuar: 50-vjetorin e shugurimit meshtarak të Don Fran Sopit. Ky jubile përkujtoi një rrugëtim të gjatë e të shenjtë, mishërim të besimit, sakrificës dhe shërbimit të palodhur ndaj Kishës dhe komunitetit.

Don Frana, është pasardhës i martirëve të Karadakut, nga një familje me histori të lavdishme, dhe jetoi si një dritë e pashuar mes errësirës së komunizmit, sfidave të para- dhe pasluftës. Ai nuk ishte vetëm meshtar i përkushtuar, por një shtyllë e palëkundur e besimit, që ndihmoi në ringjalljen shpirtërore, kombëtare dhe kulturore të komunitetit të tij.

Në ditën e shenjtë të Jubileut, në kishën ku ai u shugurua më 3 gusht 1974, zërat e lutjeve dhe falënderimeve u shndërruan në një himn monumental mirënjohjeje për jetën dhe veprën e tij.  

Vlerësimi për jetën dhe veprën e tij mbërriti deri në Vatikan: Shenjtëria e Tij, Papa Françesku, përmes Sekretarit të Shtetit, Kardinal Pietro Parolin, dërgoi urime dhe mirënjohje, duke e cilësuar Don Franin si një vlerë të shenjtë të Kishës universale dhe shembull frymëzimi për brezat që vijnë.

Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi i dioqezës Prishtinë-Prizren, e cilësoi jetën e tij si një rrëfim të mbushur me sakrifica dhe shërbim pa kufij, duke e krahasuar Don Franin me një dritë që ndriçoi errësirën e komunizmit dhe mbajti gjallë fenë në zemrat e besimtarëve. Ai u bë mbështetje për të varfërit dhe udhërrëfyes shpirtëror për grigjën e tij, pa u dorëzuar asnjëherë para sfidave.

Don Viktor Sopi, drejtor i Caritas-it të Kosovës dhe bashkëpunëtor i afërt i tij, e përshkroi me emocion guximin dhe përkushtimin e Don Franit, sidomos gjatë ndërtimit të Kishës “Zoja e Këshillit të Mirë” në Klinë – një akt që në kohë të vështira ishte simbol i shpresës dhe i besimit të palëkundur.

Në emër të familjes, nipi i tij-Luigj S. Sopi, përshkroi me respekt jetën dhe kontributin e axhës së tij-don Franit në ndërtimin dhe zhvillimin e famullisë së Klinës, si dhe në shërbimet e tij në Prizren, Bistazh të Gjakovës dhe në Pejë, duke ngritur jo vetëm objekte kishtare, por edhe shpirtrat e njerëzve.

Si mik dhe biograf i tij, e ndjej thellë mirënjohjen dhe përgjegjësinë për të dëshmuar se Don Frani ka qenë dhe mbetet burim frymëzimi, një shembull i dashurisë hyjnore që ka prekur jetët tona dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e famullisë së Klinës, Lugut të Drinit dhe mbarë Dukagjinit.

Në fund të ngjarjes, don Frok Zefi, famullitar i Kishës së Shën Antonit në Binçë dhe studiues i mirënjohur, e përshkroi mikun e tij si “dritë të qëndrueshme në kohë të vështira, një meshtar që ndërtoi ura shprese, dije dhe bashkëpunimi.” Ai theksoi se jeta e tij është histori e gjallë në kishën dhe në kombin tonë.

Ky jubile nuk është vetëm përkujtim i 50 viteve, por një testament jete: një rrugëtim i mbushur me dashuri, guxim, sakrificë dhe besim të palëkundur. Don Frani është një lapidar i gjallë i fesë dhe i kombit në zemrat tona, një kryevepër e gjallë e historisë kishtare të Klinës dhe të Dioqezës së Kosovës.

Don Frana aktualisht jeton në Kishën “Shën Katarina” në Pejë, aty ku vijon të shërbejë dhe të jetë pranë besimtarëve, duke mbetur gjithnjë një udhërrëfyes shpirtëror dhe simbol i besimit të palëkundur.

Në emër të familjes dhe personalisht, i uroj shëndet të mirë, jetë të gjatë dhe bekime të shumta, duke dëshiruar që misioni i tij i shenjtë të mbetet dritë dhe strehë për brezat që vijnë.

Go to TOP