OEK dhe Prodhuesit kërkojnë pezullimin e vendimit të ZRrE-së: Tregu i lirë i energjisë po dëmton rëndë ekonominë
Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në bashkëpunim me Shoqatën e Prodhuesve të Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj pasojave që, sipas tyre, po shkakton vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për detyrimin e bizneseve që të dalin në tregun e lirë të energjisë.
Sipas OEK-ut, ky vendim po sjell pasoja të rënda financiare për sektorin prodhues dhe ekonominë në tërësi, duke theksuar se zbatimi i tij po bëhet në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Komerciale.
“Bazuar në të dhënat preliminare, konsumi vjetor i bizneseve të përfshira në tregun e lirë vlerësohet të jetë rreth 550 GWh. Me çmimet aktuale të tregut të lirë, kjo përkthehet në një kosto minimale prej 120 milionë euro në vit,” thuhet në reagim.
Kjo kosto shtesë e përditshme, sipas OEK-ut, arrin në rreth 328 mijë euro, që i bie afërsisht 10 milionë euro në muaj, si pasojë e moszbatimit të vendimit gjyqësor nga ana e ZRrE-së.
Përveç çmimeve të larta të energjisë, një barrë tjetër për bizneset është kërkesa për pagesë paraprake të dy muajve si depozitë nga operatorët e furnizimit. Sipas OEK-ut, kjo depozitë kap vlerën e 20 milionë eurove dhe ka detyruar shumë biznese të marrin kredi bankare, duke u ekspozuar ndaj kostove shtesë të interesit.
Gjithashtu, përmendet se për muajin gusht 2025, duke përfshirë faturat e KEK-ut dhe depozitat, pritet që bizneset të paguajnë rreth 50 milionë euro para të gatshme – një ngarkesë që po tkurr ndjeshëm likuiditetin në treg.
“Kjo situatë po rrit kostot financiare të bizneseve dhe po dëmton seriozisht qëndrueshmërinë dhe konkurrueshmërinë e sektorit prodhues në Kosovë,” përfundon deklarata.
OEK dhe Shoqata e Prodhuesve kërkojnë sërish pezullimin urgjent të vendimit të ZRrE-së për daljen në tregun e lirë të energjisë, duke e cilësuar një veprim të tillë si “akt patriotik” për ruajtjen e ekonomisë kombëtare dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/
