Veteranët e UÇK-së thërrasin protestë më 7 gusht kundër Gjykatës Speciale: KMDLNj e konsideron politike dhe raciste
Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur qytetarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ndodhen që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar më 7 gusht 2025, në kundërshtim ndaj, siç e quajnë ata, “arbitraritetit dhe mujsharisë” së Gjykatës Speciale në Hagë ndaj udhëheqësve ushtarakë dhe politikë të Kosovës, të cilët po gjykohen për krime lufte.
Sipas organizatorëve, katalizator për këtë protestë është vendimi i fundit i Gjykatës për të pranuar si prova mbi 1,000 dosje të dorëzuara nga MUP-i dhe agjencitë tjera të sigurisë së Serbisë, që sipas tyre janë burime të njohura për manipulime dhe dezinformim.
Në këtë kontekst, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) e ka mbështetur protestën duke theksuar se themelimi i kësaj gjykate nuk ka qenë as i pavarur dhe as në përputhje me të drejtat themelore të njeriut. Sipas KMDLNj-së, gjithçka nisi nga një nismë serbo-ruse nëpërmjet raportit të Dik Martit në Këshillin e Evropës, por u finalizua me bekimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën administratën e presidentit Barack Obama dhe nënpresidentit Joe Biden.
KMDLNj vlerëson se protestat do të kishin qenë më të dobishme po të organizoheshin para selive ndërkombëtare si në Hagë, Bruksel, Gjenevë, Washington apo Nju Jork. Sipas tyre, “arrestimi ishte politik, gjykimi është politik dhe vendimi do të jetë po ashtu politik”.
Shoqata e Veteranëve dhe KMDLNj akuzojnë Gjykatën për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, mungesë të transparencës, vonesa të gjata në procedura dhe mohimin e prezumimit të pafajësisë. Po ashtu, i bëjnë thirrje qytetarëve që të protestojnë edhe kundër rolit të institucioneve të Kosovës, të cilat sipas tyre, nuk kanë ofruar asnjë garanci për mbrojtje të barabartë dhe kanë ndryshuar ligje në mënyrë që të pamundësojnë një mbrojtje efektive për të akuzuarit.
Përmes kësaj proteste, kërkohet të ngrihen pyetje të drejtpërdrejta ndaj autoriteteve: Pse kjo Gjykatë nuk i njeh institucionet e Kosovës? Pse nuk raporton në Kuvendin e Kosovës? Dhe ku janë simbolet e shtetit në një institucion që pretendohet se është themeluar në emër të tij?
Protesta do të mbahet më 7 gusht 2025, me organizatorët që nënvizojnë se është një kauzë që shkon përtej politikës dhe ka për qëllim mbrojtjen e dinjitetit, drejtësisë dhe të drejtave të njeriut të luftëtarëve të UÇK-së. /Kosova.info/
