Bajrami paralajmëron ZRrE-në: Sot ose kurrë – 140 mijë vende pune në rrezik, skemë mafioze me energjinë

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për përjashtimin e mbi 1,300 bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji elektrike. Ajo ka paralajmëruar se, nëse ky vendim nuk pezullohet urgjentisht, ZRrE do të mbahet mend si “armiku më i madh i ekonomisë në vend”.

Sipas saj, ky vendim rrezikon të dëmtojë drejtpërdrejt mbi 140 mijë vende pune dhe do të shkaktojë valë të re inflacioni që do të prekë çdo produkt në treg. Bajrami theksoi se Kosova nuk ka treg të lirë real të energjisë dhe as institucionet, as bizneset nuk janë të përgatitura për këtë lëvizje drastike.

“Bizneset e përjashtuara ende nuk i kanë faturat e muajit qershor,” theksoi ajo duke ngritur një varg pyetjesh për transparencën e ZRrE-së:

Pse nuk janë lëshuar faturat për qershor?

Pse është rritur importi i energjisë me 800% në qershor krahasuar me majin?

Kush janë përfituesit e kësaj skeme?

Bajrami përmendi konkretisht kompaninë EFT të Vuk Hamoviqit dhe “tregtarët me nga dy punëtorë”, si dhe paralajmëroi se së shpejti në rrethin e përfituesve do të hyjnë edhe kompani të reja të licencuara nga ZRrE, që sipas saj, kanë lidhje të ngushta me politikën.

“ZRrE po sakrifikon ekonominë, prodhimin vendor dhe 140 mijë vende pune për interesa mafioze,” u shpreh ajo duke i kërkuar Prokurorisë që të ndërhyjë pa mëshirë ndaj bordit të ZRrE-së:

“Prokuroria, o sot, o kurrë!”

Bajrami përfundoi duke theksuar se zyrtarët e paguar me para publike nuk mund të punojnë për interesa private duke kërkuar përgjegjësi të menjëhershme institucionale. /Kosova.info/


Go to TOP