Krasniqi për shkuarjen e FSK-së në veri: Më herët kemi shkuar, por pa simbolet e Republikës së Kosovës
Gjatë ditës së djeshme në opinionin publik në Kosovë pati reagime të shumta nga partitë opozitare, të cilat këmbëngulën se prania e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri nuk është diçka e re dhe se FSK ka zhvilluar më parë aktivitete në atë pjesë të territorit.
Paralelisht, Beogradi zyrtar reagoi ashpër, duke pretenduar se FSK nuk mund të hyjë në veri pa lejen paraprake të Serbisë, duke u thirrur në marrëveshjet dhe protokollet e mëparshme të sigurisë. Kjo deklaratë është kundërshtuar në opinionin kosovar, pasi është e qartë se FSK vepron ekskluzivisht në kuadër të ligjeve dhe kompetencave kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Për këtë situatë ka reaguar edhe ish-oficeri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Arben Krasniqi, i cili ka hedhur dritë mbi një pamje më të gjerë të veprimtarisë në terren të FSK-së:
“Krejt kjo është e vërtetë, por e vërtetë është edhe se është kërkuar që të mos identifikohemi me pjesën e sipërme të uniformave, emblema dhe flamujt e Republikës së Kosovës, e në disa raste edhe të targave të automjeteve të FSK-së!”
