809 qytetarë të punësuar në veri përmes masës Qeveria për Familjet

Ministria e Financave, e Punës dhe e Transfereve ka njoftuar se në kuadër të masës për mbështetjen e punësimit në komunat veriore të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut – deri më tani janë punësuar 809 qytetarë.

Kjo masë, që synon nxitjen e punësimit në këto komuna, ofron subvencionim deri në 70% të pagës bruto për një periudhë prej 6 muajsh duke e bërë më tërheqës punësimin për bizneset dhe njëkohësisht duke krijuar mundësi për punëkërkuesit.

Si rezultat i interesimit të lartë nga ana e bizneseve, aktualisht janë të hapura mbi 1,000 vende të lira pune që presin të plotësohen përmes punëkërkuesve të regjistruar në Zyrat e Punësimit.

Ministria fton të gjithë qytetarët që jetojnë në këto komuna që të regjistrohen në Zyrat e Punësimit për të përfituar nga kjo mundësi që ndihmon jo vetëm në sigurimin e një vendi pune, por edhe në zhvillimin ekonomik të rajonit. /Kosova.info/

Go to TOP