Ndalohet importi i kafshëve nga Serbia, për shkak të `Murtajës Afrikane`

Pas konfirmimit të shpërthimeve të sëmundjeve Gjuha e Kaltër (Bluetongue – BT) dhe Murtaja Afrikane e Derrit (ASF) në territorin e Serbisë, Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka vendosur masa të menjëhershme mbrojtëse duke ndaluar përkohësisht importin e kafshëve të gjalla të llojit gjedhe, dele, dhi dhe derra, si dhe produkteve të derrit, nga i gjithë territori i Serbisë.

Vendimi është marrë në përpjekje për të parandaluar përhapjen e këtyre sëmundjeve infektive në vendin tonë, duke rritur vigjilencën dhe kontrollin në të gjitha pikat kufitare.

Autoritetet kufitare, përfshirë Policinë e Kosovës, Doganat dhe AUV-në, janë urdhëruar të ngrisin nivelin e kontrollit në kufi duke ndaluar hyrjen e kafshëve dhe produkteve me origjinë nga Serbia. Një kontroll i shtuar do të ushtrohet gjithashtu në bagazhet personale të pasagjerëve, për të parandaluar futjen e çfarëdolloj produkti të derrit që mund të përbëjë rrezik.

Sipas AUV-së, Gjuha e Kaltër është një sëmundje virale që transmetohet përmes mushkonjave të llojit Culicoides, e cila prek më së shumti delet, ndërsa Mortaja Afrikane e Derrit është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek derrat e egër dhe ata shtëpiak, me një shkallë të lartë vdekshmërie.

Autoritetet qartësojnë se asnjëra prej këtyre sëmundjeve nuk është zoonotike, pra nuk transmetohen te njerëzit dhe nuk paraqesin rrezik për shëndetin publik.

AUV u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe institucioneve që të respektojnë masat e vendosura dhe të bashkëpunojnë për parandalimin e përhapjes së këtyre sëmundjeve, deri në një vendim të ri. /Kosova.info/


Go to TOP