Buzhala për larjet në Ujman: Çmenduri e një “hajvani” politik për manipulim të opinionit
Analisti dhe gazetari Berat Buzhala ka reaguar me tone të ashpra ndaj promovimit të larjes në liqenin e Ujmanit duke e cilësuar këtë veprim si një akt të motivuar politikisht dhe të orkestruar në funksion të një partie politike që po tenton të paraqesë gjendjen në atë pjesë të vendit si normale.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Buzhala ironizoi me faktin që njerëzit zgjedhin të shkojnë për t’u larë në Ujman, kur kanë shumë më afër plazhet e Shqipërisë si Shëngjini, Velipoja apo Talia. Ai thekson se kjo është një “gjendje e veçantë psiqike” dhe se “rinia shkon për të kërcyer nga ura mbi Ujman me bindjen se kështu po shtrijnë sovranitetin”.
“Unë nuk kam qenë asnjëherë atje, e as nuk ndjej ndonjë detyrim me shku për të ngrënë tortë te Misini apo për t’u larë në ujërat e thella të Ujmanit,” shkruan ai duke e konsideruar këtë si një manipulim politik për të ndërtuar një tregim simbolik rreth normalitetit në veri.
Ai kritikon ashpër politikën e kryeministrit Albin Kurti duke e cilësuar atë si “hajvan” që nuk ka asnjë plan për zhvillimin ekonomik të vendit, për menaxhimin e inflacionit apo për integrimin në Bashkimin Evropian, por që ka “ide djallëzore” për manipulimin e opinionit publik dhe ndarjen simbolike të vendit përtej urës së Ibrit.
“Ky Hajvan nuk e ka as idenë më të vogël si t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës, por ka plot plane tjera për t’ua vështirësuar jetën qytetarëve,” përfundon Buzhala duke shtuar se tashmë është i përgatitur ta shikojë këtë “film” të politikës me qetësi dhe pa emocione. /Kosova.info/
