Kuçi: Serbia po përdor arrestime politike për të fshehur spiunazhin e saj agresiv ndaj Kosovës dhe Perëndimit

Gurakuç Kuçi, Hulumtuesi i Lartë në Institutin për Studime të Luftës Hibride “OCTOPUS”, ka reaguar ndaj valës së fundit të arrestimeve të bëra nga Serbia, duke i cilësuar si arrestime politike që synojnë të fshehin dhe të devijojnë vëmendjen nga aktivitetet e saj të spiunazhit agresiv ndaj Kosovës dhe aleatëve perëndimorë.

Sipas Kuçit, Serbia ka arrestuar dy shqiptarë me akuza të fabrikuara. Njëri prej tyre, Arbnor Spahiu, akuzohet për “vrasje të rëndë” në rastin e sulmit terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, ndonëse ai ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës që në vitin 2022, para ngjarjes në fjalë. Arrestimi i dytë, ai i Lulzim Halilit si “ish-pjesëtar i UÇK-së”, është po ashtu i pabazuar – pasi Halili nuk ka qenë pjesëtar i luftës dhe nuk figuron në asnjë listë të veteranëve.

Për të treguar edhe më shumë panikun e saj, Serbia ka arrestuar së fundi edhe një qytetar serb të Kosovës, Sasha Gjorgjeviq nga Shtërpca, i cili punonte në një qendër shëndetësore lokale. Ai akuzohet për spiunim në favor të AKI-së së Kosovës dhe SHISH-it të Shqipërisë – akuza që Kuçi i quan pjesë e një hakmarrjeje politike.

Këto arrestime, sipas Kuçit, erdhën pas suksesit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë për të dekonspiruar të paktën gjashtë agjentë të shërbimit sekret serb BIA, mes tyre edhe Aleksandër Vllajiq, i cili ka pranuar fajësinë.

“Serbia po tenton të relativizojë dekonspirimin e strukturave të saj të spiunazhit, duke i paraqitur si përplasje të zakonshme mes shërbimeve inteligjente, për të shmangur pasojat dhe për të frenuar hetimet më të thelluara që do t’i zbulonin lidhjet e saj me rrjete destabilizuese ndërkombëtare,” theksoi Kuçi.

Ai paralajmëron se veprimet e Serbisë nuk përbëjnë vetëm kërcënim për Kosovën, por po e pozicionojnë atë si një faktor destabilizues në shkallë globale, me përfshirje në operacione të ndikimit të huaj në vende si Franca, Moldavia dhe përtej. /Kosova.info/

Go to TOP