Drejtoria e Shërbimeve Publike viziton SOS Fshatrat e Fëmijëve – premton ndihmë për ndriçim, kontejnerë dhe qentë endacakë

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Bekim Gashi, së bashku me ekipin e tij, ka vizituar sot “Fondacionin SOS Fshatrat e Fëmijëve”, me qëllim që të adresojë dhe të ndihmojë me kërkesat e paraqitura nga stafi i këtij institucioni të rëndësishëm social.

Gjatë vizitës, u diskutuan një sërë çështjesh konkrete që ndikojnë në cilësinë e jetesës së banorëve të fondacionit, përfshirë ndriçimin e ambientit të jashtëm, shtimin e numrit të kontejnerëve për mbeturina dhe menaxhimin e problemit të qenve endacakë në zonë.

“Qëllimi i vizitës ishte të ofrojmë mbështetje konkrete dhe të përmirësojmë kushtet e jetesës në ambientin e këtij fondacioni që kujdeset për fëmijët pa përkujdesje prindërore”, deklaroi Gashi.

Drejtoria ka premtuar bashkëpunim të vazhdueshëm për të siguruar kushte më të mira duke e vlerësuar Fondacionin SOS si një nga shtyllat humanitare më të rëndësishme në kryeqytet. /Kosova.info/

Go to TOP