Metaj: Me kapacitetet aktuale nuk kemi arritur të gjejmë trupin, kemi kërkuar përfshirjen e FSK-së
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka bërë dje kërkesë për angazhimin e njësiteve për kërkim-shpëtim të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Këto njësite sot janë përfshirë në operacionin për gjetjen e një personi që dyshohet të jetë mbytur të dielën, më 27 korrik, në Liqenin e Ujmanit.
Drejtori i AME-së, Genc Metaj deklaroi të martën, më 29 korrik, se me kapacitetet aktuale nuk kanë arritur të gjejnë trupin e personit. Bëhet fjalë për një 33-vjeçar që u raportua se kërceu nga ura.
Metaj: Me kapacitetet aktuale nuk kemi arritur që të gjejmë trupin e personit të humbur
“Agjencia e Menaxhimit Emergjent me të marrë informacionin në koordinim me Policinë, menjëherë i ka marrë veprimet dhe ka dërguar njësitet e AME-së, njësitet e zjarrfikjes, policia ka qenë non-stop këtu, e kemi angazhuar edhe Shoqatën për Kërkim Shpëtim. Gjithashtu kanë qenë të angazhuar edhe grupi i zhytjes ‘Trepça. Agjencia si koordinuese e veprimeve në rastin emergjent i ka marrë të gjitha masat, mirëpo me kapacitetet aktuale të cilat i kemi pasur nuk kemi arritur që me sukses që të gjejmë trupin e personit të humbur dhe për këtë arsye me veprime ndërinstitucionale i kemi marrë të gjitha veprimet dhe kemi kërkuar edhe angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët sot kanë ardhur dhe janë duke kryer punën e vet”, deklaroi ai.
Kërkimi deri më tash është zhvilluar vetëm nga Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim. FSK-ja iu bashkua ekipeve në ditën e tretë të kërkimeve. Kjo u bë vetëm pas një bashkërendimi me misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Metaj: Dje kemi bërë kërkesën për angazhimin e FSK-së
“Dje kemi bërë kërkesën për angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Agjencia e Menaxhimit Emergjent është në ngritje të kapaciteteve të kërkim shpëtimit. Për momentin strukturat e kërkim shpëtimit kryesore janë në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, shtoi ai.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se shpreson që trupi i të riut të gjendet.
Elshani: Policia është këtu duke asistuar
“Policia është këtu duke asistuar, udhëheqës i vendit të ngjarjes është AME-ja. Tash ka ardhur FSK-ja dhe shpresojmë që së paku trupin do ta gjejmë edhe t’i pakësohet dhimbja familjes, e cila ka humbur anëtarin e tyre të familjes”, tha Elshani.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar se e ka autorizuar Forcën e Sigurisë së Kosovës të dislokojë ekipe të kërkim-shpëtimit në Liqenin e Ujmanit, ku autorizimin, siç thuhet në njoftim, e ka dhënë komandanti Enrico Barduani.
