Pacolli: Klan Kosova po i ofron hapësirë mediatike dhunuesve
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj televizionit Klan Kosova, duke e akuzuar për promovim të narrativave që mbrojnë dhunuesit dhe për relativizim të dhunës ndaj grave.
Sipas Pacollit, kjo media u ka dhënë hapësirë publike familjes dhe avokatit të një personi të akuzuar për dhunë, duke u bërë platformë për justifikimin e veprimeve të tij dhe për ndikim të drejtpërdrejtë në perceptimin publik.
“Jo vetëm që dhunuesi po mbrohet publikisht, por edhe familja e tij – e cila ka qenë bashkëpjesëmarrëse në aktin e dhunës – po merr hapësirë për të heshtur zërin e viktimës dhe për ta viktimizuar dhunuesin. Kjo përfshirje është tashmë e dokumentuar,” ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se kjo qasje përbën shkelje të rëndë të etikës profesionale dhe të përgjegjësisë shoqërore që duhet ta ketë një medium në një shoqëri demokratike.
“Klan Kosova, me këtë qasje, po merr një rol aktiv në mbështetjen e dhunuesit dhe në dëmtimin e viktimës. Kjo nuk është liri e shtypit – është abuzim me pushtetin mediatik,” ka shtuar deputetja.
Pacolli ka bërë thirrje për përgjegjësi dhe transparencë nga institucionet mediatike, ndërsa ka kërkuar nga organet përkatëse që të ndërhyjnë në rastet kur mediat kontribuojnë në cenimin e të drejtave të viktimave të dhunës.
Deri më tani, Klan Kosova nuk ka dhënë një qëndrim publik lidhur me këto akuza.




