​Pesë të vrarë në tregun e Bangkokut

Pesë persona u vranë në një të shtënë masive në një treg ushqimor në Bangkok të hënën.

I dyshuari për sulmin në tregun e pemëve dhe ushqimeve të detit Or Tor Kor i mori jetën vetes, konfirmoi policia në kryeqytetin e Tajlandës, raporton BBC.

Katër nga të vrarët ishin roje sigurie dhe i pesti punonte në treg. Dy shitës të tjerë të tregut u plagosën, tha policia.

Togeri i policisë Siam Boonsom u tha mediave lokale se personi i armatosur ishte tajlandez dhe se kishte pasur mosmarrëveshje me rojet e sigurisë së tregut më parë.

Ai tha gjithashtu se të shtënat nuk kishin lidhje me konfliktin e vazhdueshëm të Tajlandës me Kamboxhian.

Tajlanda ka parë disa incidente vdekjeprurëse vitet e fundit. Në vitin 2023, një djalë 14-vjeçar vrau dy persona dhe plagosi pesë të tjerë në qendër të Bangkokut.

Një ish-polic vrau të paktën 37 persona, shumica prej tyre fëmijë, në një sulm me armë dhe thikë në një qendër kujdesi për fëmijë në provincën Nong Bua Lamphu në Tajlandën verilindore në tetor 2022. Në vitin 2020, një ushtar vrau 29 persona dhe plagosi dhjetëra të tjerë në qytetin Nakhon Ratchasima.


Go to TOP