BSPK-ja në përkrahje të zjarrfikësve, Policisë dhe FSK-së
Në një kohë kur Kosova po përballet me vatra të shumta zjarri që po kërcënojnë vendbanime e sipërfaqe të gjera pyjore, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka dalë me një komunikatë për të shprehur mbështetjen dhe mirënjohjen për forcat që janë në terren: zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës.
Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, vlerësoi përkushtimin dhe guximin e këtyre shërbimeve, duke theksuar se veprimtaria e tyre është jetike për sigurinë dhe rendin në vend.
“Ata janë sot në vijën e parë të përballjes me një rrezik të shumëfishtë, me guximin që s’ka nevojë për fjalë, me përkushtimin që nuk reklamohet, por dëshmohet në terren”, u shpreh ai.
Në komunikatë theksohet nevoja për përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e kapaciteteve teknike e njerëzore të këtyre shërbimeve. Sipas BSPK-së, investimi në pajisje moderne dhe trajnime profesionale nuk është luks, por domosdoshmëri për një shtet funksional dhe të sigurt.
“Nuk mund të kërkojmë sakrificë nga ata që nuk u japim dinjitet”, tha Hykolli, duke u bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin hapa konkretë për të mbështetur këto forca që janë shtyllë e sigurisë kombëtare.
Në fund, BSPK shpreh solidaritetin e saj me të gjithë ata që janë në terren, duke garantuar se mbështetja sindikale për ta është e vazhdueshme dhe pa kushte. /Kosova.info/
