Bajrami: ZRRE me thirrje skandaloze për kontrata private, kërkon hetim të sektorit të energjisë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj thirrjes së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila u ka bërë apel bizneseve që të lidhin kontrata me operatorë privatë për furnizim me energji elektrike. Sipas saj, kjo është një thirrje skandaloze në një kohë kur vetë KEK-u, si furnizues i mundësisë së fundit, ende nuk ka lëshuar faturat për muajin qershor për bizneset që prej hyrjes në tregun e lirë më 1 qershor.
“Si mund t’u bëni thirrje bizneseve të lidhin kontrata me operatorë privatë, kur nuk u keni treguar ende sa do t’u kushtojë rryma për muajin qershor e korrik? Kjo është papërgjegjësi totale,” ka deklaruar Bajrami.
Ajo ka theksuar se importi i energjisë është rritur tetëfish që nga qershori, duke rënduar më tej pasigurinë për sektorin privat, i cili sipas saj po operon në terr informativ dhe rrezik ekzistencial. Bajrami shton se bizneset nuk mund të detyrohen të nënshkruajnë kontrata në kushte të tilla dhe pyet se çfarë do të ndodhë me ato biznese që nuk i lidhin këto kontrata deri më 1 gusht.
“Do t’i lini pa rrymë? Do t’i mbyllni? Do t’i hidhni në rrugë mbi 100 mijë punëtorë?” – pyet ajo.
Deputetja gjithashtu ka hedhur dyshime mbi pretendimet e ZRRE-së për mbështetjen gjyqësore të veprimeve të tyre, duke kujtuar se në muajin e fundit janë dhënë dhjetëra vendime të Gjykatës Komerciale në favor të bizneseve.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetime për të gjithë zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë, duke paralajmëruar se nuk mund të sakrifikohet e gjithë ekonomia e vendit për interesat e tregtarëve të lidhur me pushtetin. /Kosova.info/
