Përdhosin flamurin kombëtar, dy të mitur intervistohen nga policia – reagon OVL-UÇK

Dy të mitur janë intervistuar nga Policia e Kosovës pasi janë parë duke shkelur dhe shqyer flamurin kombëtar, sipas një video-regjistrimi të publikuar dje. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Studençan të Suharekës dhe është cilësuar si një veprim i papërshtatshëm ndaj simbolit shtetëror.

Në një video që po qarkullon në media, shihet se të miturit vendosin flamurin kombëtar kuq e zi në tokë, e shkelin me këmbë dhe më pas e shqyejnë. Përveç kësaj, ata vendosin flamurin përsëri në tokë dhe kalojnë me veturë sipër tij.

Ndërsa lidhur me këtë, OVL e UÇK-së, SHIL, SHFD, Shoqata e të Burgosurve Politikë dhe Shoqëria “Lëvizja” kanë bërë një reagim të përbashkët “ndaj përdhosjes së flamurit kombëtar në Suharekë”.

“Ne, kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së, reagojmë me indinjatë të thellë dhe dënim të ashpër ndaj aktit të përdhosjes së flamurit kombëtar nga disa individë të papërgjegjshëm në qytetin e Suharekës”, thuhet në reagim.

Më të tej në reagim thuhet se flamuri kuq e zi është simboli i gjakut dhe sakrificës, simboli që frymëzoi një popull të tërë për liri, që u ngrit mbi barrikada, e në zemrën e çdo shqiptari që nuk u përkul para pushtuesit.

Sipas këtij reagimi, ky akt përbën, “fyerje të rëndë ndaj kujtimit të Dëshmorëve tanë, përbuzje të vlerave të luftës çlirimtare dhe provokon rëndë moralin kombëtar, që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi”.

“Ne, bashkërisht, kërkojmë reagim të menjëhershëm nga institucionet e rendit dhe drejtësisë, për të identifikuar dhe ndëshkuar autorët e këtij akti të shëmtuar”, thuhet në reagim.

Këto shoqata i bëjnë thirrje publike që ky rast të mos relativizohet, sepse ai është pasqyrë e një krize të thellë morale që duhet trajtuar me seriozitet dhe jo me indiferencë.

“Theksojmë se flamuri kuq e zi nuk është vetëm simbol i një shteti apo kohe, ai është vetë identiteti ynë kombëtar”, thuhet në reagim. /Kosova.info/

Go to TOP