​Mbyllet për publikun seanca në rastin “Banjska”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të dëgjohet dëshmitari Veljo Iliq në rastin “Banjska”, ndërkohë që seanca është mbyllur për publikun dhe mediat.

Prokurori special, Naim Abazi kërkoi që dëshmia këtij dëshmitari të jetë e mbyllur, meqë, siç theksoi ai, ajo përfshin informata të ndjeshme, përfshirë edhe ato të sigurisë kombëtare.

Abazi: Dëshmia është e ndjeshme

“Kjo seancë e dëgjimit të dëshmitarit të jetë e mbyllje për publikun për arsye se dëshmia e këtij dëshmitari është e ndjeshme, në të cilën përfshihen informata të sigurisë kombëtare, strukturave paralele në veri të vendit si dhe përfshin personazhe që janë përfshirë në ngjarjen e rëndë në fshatin Banjskë e cila ka pasur pasoja serioze kushtetuese. Meqë dëshmia e këtij dëshmitari lidhet kryesisht me rekrutimin, organizimin, pagesat dhe kontaktet me struktura të dyshuara ilegale, përfshin edhe elemente qe mund të dërgojnë në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari ilegale, për më tepër ekziston edhe rrezik real për sigurinë e dëshmitarit në rast se kjo dëshmi do të jepet në prani të mediave dhe publikut”, tha prokurori special.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Arben Hoti, më pas njoftoi se kanë aprovuar kërkesën e prokurorit special.

Hoti: Seanca mbahet e mbyllur

“Pas propozimit të prokurorisë dhe marrjes së mendimit, trupi gjykues merr këtë aktvendim, aprovohet kërkesa e prokurorisë speciale. Andaj seanca gjyqësore kalon në seancë të mbyllur gjyqësore për kushtet ligjore të cilat janë përmendur në nenin e përmendur”, tha ai.

Paraprakisht, avokati Ljubomir Pantoviq e kundërshtoi këtë kërkesë.

Pantovi: Sqarimi i prokurorisë nuk më ka bindur

“Mua ky sqarimi i prokurorisë nuk më ka bindur që pa përjashtimin e publikut do të rrezikohet identiteti apo siguria e dëshmitarit”, tha ai.

Ndërkaq, dëshmitari Veljo Iliq tha se ndjehet i stresuar.

Iliq: Është situatë stresuese për mua

“Situata e ime është e tillë është që… unë pi barna që 25 vite dhe nuk mund të qëndroj deri në fund sepse kjo është shumë stresuese për mua”, tha ai.

Edhe sot nën masa të larta të sigurisë janë sjell në gjykatore të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Deri më tani janë dhënë disa dëshmi në këtë rast nga zyrtarë policorë për këtë sulm terrorist.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Ata ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.


Go to TOP