AKB reagim pas tragjedisë në Gjakovë: Fitimi nuk mund të jetë mbi jetën – mjaft viktima nga pakujdesia në ndërtimtari!

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar me shqetësim dhe dhimbje pas humbjes tragjike të jetës së dy punëtorëve në sektorin e ndërtimtarisë në Gjakovë.

Në reagimin e saj, AKB shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe thekson se është e papranueshme që ndërtimtaria – një ndër sektorët më fitimprurës në vend – të vazhdojë të jetë njëkohësisht edhe ndër më vdekjeprurësit.

“Fitimet nuk mund të jenë mbi jetën. Është e papranueshme që për shkak të mungesës së masave elementare të sigurisë, të humben jetë njerëzish. Jeta e punëtorit duhet të vendoset para çdo interesi ekonomik”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, u bëri thirrje të gjitha kompanive të ndërtimit që të trajtojnë sigurinë në punë si prioritet absolut, ndërsa kërkoi nga institucionet shtetërore veprime të qarta dhe të rrepta.

“Kërkojmë kontroll real nga institucionet, dënime konkrete dhe jo vetëm statistika. Jeta e punëtorëve është përgjegjësi dhe detyrim shoqëror që këto tragjedi të mos përsëriten më”, theksoi Shahini.

AKB ka apeluar për reflektim të menjëhershëm dhe për ndërmarrjen e masave të domosdoshme ligjore për të parandaluar humbjen e jetëve të tjera në vendin e punës. /Kosova.info/


Go to TOP