Hoti: Pesë vite mashtrime-në prill dorëzon mandatin si bashkëfajtore për rrënimin e shtetit

Avdullah Hoti, ish-kryeministër i Kosovës dhe figurë e lartë e LDK-së, ka lëshuar një deklaratë të ashpër ndaj presidentes Vjosa Osmani duke e akuzuar se po e përfundon mandatin pesëvjeçar pa asnjë rezultat konkret dhe pa asnjë kontribut për shtetin e Kosovës.

Sipas Hotit, pesë vitet e fundit kanë qenë të mbushura me “demagogji dhe mashtrime”, të cilat sipas tij, po bëhen gjithnjë e më të dukshme për publikun. Ai e quan Osmanin pjesë të një “agjende shtetrrënuese”, përkrah bashkëpunëtorëve të saj politikë.

“Kjo e ka hallin se do të mbetet në histori si mashtruesja më e madhe e elektoratit djathtist të LDK-së”, shkruan Hoti.

Ai shton se në prill, kur përfundon mandati i saj si presidente, Osmani do të mbahet përgjegjëse për rrënimin e reputacionit ndërkombëtar të Kosovës dhe dëmet që i janë shkaktuar shtetit.

Në reagimin e tij, Hoti thekson gjithashtu se Osmani nuk ka thënë asnjë fjalë për vendimet e fundit të organeve të drejtësisë, që sipas tij, konstatojnë uzurpimin e institucioneve nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj, përfshirë edhe ish-partinë e saj, Guxo. /Kosova.info/

Go to TOP