Neymar vendimtar ndaj Flamengo: Është një fillim i ri për ne

Santos ka siguruar një fitore të vështirë ndaj Flamengo në Serie A braziliane, me golin vendimtar të Neymar në minutën e tetëdhjetë e pestë, duke i dhënë skuadrës tri pikët e shumëpritura dhe duke e nxjerrë ekipin nga zona e rënies nga kategoria.

I rikthyer së fundmi pas një lëndimi të gjatë, Neymar ka luajtur për nëntëdhjetë minuta për herë të parë pas pesë muajsh, duke u kthyer në protagonistin kryesor të kësaj fitore.

Pas ndeshjes, braziliani e ka komentuar suksesin, duke vlerësuar skuadren. “Është një fillim i ri për ne. Kemi pasur kohë për të punuar dhe sot treguam se mund të përballemi me çdo ekip në Brasileirao”, ka thënë ai.

Ish-sulmuesi i Barcelonës nuk ka kursyer vlerësimet për kundërshtarin: “Flamengo është ndoshta ekipi më i mirë në ligë. Taktikisht janë shumë të fortë, dinë si të mbrohen dhe si të sulmojnë. Kanë lojtarë të jashtëzakonshëm dhe është gjithmonë e vështirë të luash kundër tyre”, ka thënë ai. 

Pavarësisht rikthimit të plotë në fushë, Neymar e ka pranuar se ende nuk është në formën ideale. “Dua të luaj nëntëdhjetë minuta në çdo ndeshje. Synoj të rikthehem në formën më të mirë, por kjo kërkon kohë, si në ndeshje ashtu edhe në stërvitje. Trupi im ende po përshtatet, po mësohet sërish me intensitetin. Nuk është aspak e lehtë të kapërcesh lëndimin që kam kaluar. Jam shumë i lumtur që mund të ndihmoj ekipin, qoftë në sulm apo në mbrojtje. Nuk jam ende 100% gati, por jam në përmirësim”, ka thënë ai.

Fitorja ndaj Flamengo shihet si një kthesë e rëndësishme për Santos në garën për mbijetesë.

Go to TOP