Mos konstituivi i Kuvendit, Osmani tregon veprimet që do të ndërmerren
Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se vlerësojnë rolin e Donald Trump për paqe dhe se deklarimet në Uashington kanë qenë në këtë linjë, por ajo nuk komentoi deklarimet e Richard Grenell, i cili e kritikoi ditë më parë Osmanin duke thënë se ajo ka “manipuluar” fjalët e presidentit amerikan.
“Unë kam falënderuar presidentin Trump për rolin e tij në botë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Ne ruajmë Kosovën edhe me mbështetje amerikane. Sa i përket asaj se çfarë kam thënë, unë jam përgjigjur në pyetje, janë deklarata të datës 25 qershor, i ftoj qytetarët që të dëgjojnë nëse kam keqinterpretuar ndonjë gjë”, theksoi Osmani në një konferencë për media.
Ajo tha se deklarimet e Serbisë se janë për paqe, siç u shpreh Osmani, demantohen nga veprimet e tyre.
“Deklaratat e Serbisë se ata janë kinse për paqe, të gjitha demantohen nga veprimet e tyre. Ata kanë kidnapuar policë, ata kanë hapur rrugë ilegale për të futur ilegalisht armë të nivelit ushtarak, të cilat i kanë marrë nga Ushtria e Serbisë. Ata kanë kryer dhunë ndaj ushtarëve të NATO-s”, tha Osmani.
E para e vendit në konferencë ka folur edhe mbi ngërçin e krijuar politik në vend si pasojë e mos konstituivit të legjislaturës së nëntë. Ajo tha se janë duke përgatitur lëndën për në Kushtetuese, teksa paralajmëroi që nëse edhe gjatë këtij vikendi nuk ka formim të institucioneve, në fillim të javës do ta dërgojnë për interpretim.
Ajo tha se aktgjykimi i Kushtetueses dhe mos respektimi i afatit tridhjetë ditor për formim të institucioneve “duhet të ketë pasojë juridike”.
“Negocimi i koalicioneve është çështje e partive, në të cilat nuk mund të ndërhyjë asnjë president. Në të njëjtën kohë unë jam e bindur sikurse për çdo afat tjetër, edhe për këtë afat, në qoftë se nuk respektohet duhet të ketë pasojë juridike. Çka ndodhë me institucionet nëse ato nuk konstituohen deri më 26 korrik”, tha ajo.
