Imeri: Përmes ndikimit rus dhe pakicës serbe, Serbia synon destabilizimin

Politologu Dorajet Imeri ka komentuar në RTK deklaratën e presidentes së Kosovës lidhur me situatën e sigurisë në vend.

Presidentja kishte bërë të ditur se në muajin maj Kosova kishte marrë informacione nga institucionet e sigurisë për një destabilizim të mundshëm nga Serbia, ndërsa kishte theksuar se për këtë ishin informuar të gjitha palët relevante.

Imeri tha se e konsideron këtë si një rrezik serioz për stabilitetin rajonal.

“Nuk është diçka e jashtëzakonshme. Kosova prej kohësh e ka ngritur këtë alarm. Institucionet tona të sigurisë e kanë konfirmuar në mënyrë të vazhdueshme, përmes burimeve të sakta dhe të besueshme, se veprimet e Serbisë janë të vazhdueshme dhe të drejtuara drejt destabilizimit të Kosovës, veçanërisht përmes përdorimit të veriut të vendit dhe qytetarëve serbë që jetojnë atje, të cilët Serbia i përdor si një mjet për të penguar konsolidimin dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës”, theksoi ai.

Sipas Imerit, krahas paralajmërimeve të presidentes, është jetike që Kosova të bëjë më shumë për t’u dëgjuar në arenën ndërkombëtare, duke theksuar rolin e Serbisë dhe ndikimin rus në nxitjen e tensioneve në rajon.

“Natyrisht, përveç palëve për të cilat flet presidentja, që supozoj janë aktorë vendorë dhe ndërkombëtarë, unë konsideroj se Kosova duhet të dëgjohet në mënyrë të vazhdueshme në skenën ndërkombëtare. Është Serbia ajo që po vepron përmes ndikimit rus për ta destabilizuar rajonin dhe për të krijuar një vatër të re konflikti. Kjo, në asnjë rrethanë, nuk është në dobi të aleatëve tanë perëndimorë, të cilët tashmë kanë fokus të ri strategjik në pjesë të tjera të botës.”

Imeri theksoi gjithashtu se strategjia e destabilizimit të Kosovës ka qenë pjesë e agjendës së Rusisë në Ballkan, me Serbinë si ekzekutuese.

“Serbia, përmes ndikimit rus dhe përmes instrumentalizimit të serbëve lokalë, gjithmonë ka pasur për synim destabilizimin e Kosovës. Ky ka qenë objektivi më i madh strategjik i Rusisë në Ballkan. Kjo është arsyeja pse është vonuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe pse pengohet procesi i evropianizimit të Ballkanit Perëndimor. Pikërisht Serbia është pengesa kryesore në këto procese”, shtoi ai.

Ai theksoi nevojën për veprim më të vendosur diplomatik nga ana e institucioneve të Kosovës:

“Nuk duhet të mjaftohemi me një konferencë për shtyp të presidentes së Kosovës disa muaj pas ngjarjes. Duhet të jemi më aktivë, sidomos në qendrat e politikës botërore, për të treguar të vërtetën. Nuk jam i sigurt nëse Kosova e ka bërë detyrën si duhet në këtë drejtim”, tha Imeri.

Imeri ka folur edhe për ngërçin aktual në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se mungesa e një marrëveshjeje politike po e pengon ecjen përpara të proceseve parlamentare dhe qeverisëse.

“Në momentin që nuk ka marrëveshje politike për të shkuar më tutje, nuk mund të kërkosh një rrethanë tjetër me të njëjtët numra. Uroj që të ketë një takim mes kryetarit të Nismës Socialdemokrate dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të arritur një dakordësi, por nuk e di nëse kjo do të jetë e mjaftueshme”, tha Imeri.

Ai shtoi se problemi nuk qëndron te kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, por te procesi i votimit për komisionet parlamentare.

“Çështja nuk është te Albulena Haxhiu, çështja është te votimi i komisionit. Duhet një marrëveshje politike, dhe ndoshta do të duhej edhe një palë e tretë ose disa individë nga partitë tjera politike që do të mund të votonin për një qeveri të mundshme të pakicës”, deklaroi ai.

Go to TOP